Historia e hidhur e syrgjynosjes së dinastisë otomane

Osmanlı Hânedanı'nın sürgününe dair Arnavutça yazım...
22 Mart 2015 Pazar
22.03.2015

Historia e hidhur e syrgjynosjes së dinastisë otomane

Nga Ekrem Buğra Ekinci

Udhëheqësit e republikës së porsaformuar turke urdhëruan më 3 mars 1924 syrgjynosjen e anëtarëve të familjes mbretërore otomane. Kjo nuk nënkuptoi vetëm dëbimin, por gjithashtu fillimin e një udhëtimi që pati si pjesë të tij kushte të vështira jetese në pjesë të ndryshme të botës.

Kur sulltanati dhe kalifati otoman u shfuqizuan, 156 njerëzve që i përkisnin familjes mbretërore iu mohua shtetësia turke me një ligj që hyri në fuqi më 3 mars 1924, dhe ata u nxorën nga vendi në tre ditët vijuese. Numri i dëbuarve arriti në qindra me ata të cilët po syrgjynoseshin me prindërit apo fëmijët, edhe nëse nuk ishin subjekt i ligjit, e me shërbëtorët që nuk dëshironin t’i linin të zotët e tyre. Ligji i ndaloi madje të kalonin nëpërmes Turqisë.

Atyre iu tha në të njëjtën kohë se brenda një viti duhej të likuidonin mallin e tyre, ose ndryshe ato të sekuestroheshin nga Thesari. Sulltan Mehmedi VI shkoi në mërgim më herët. Sulltan Abdulmexhidi II dhe familja e tij u dëbuan brenda 24 orëve, më parë se ligji të hynte në veprim, dhe ata i hypën një treni në Çatalxha, e jo në Sirkexhi, ngaqë zyrtarët u trembeshin protestave. Drejtori hebre i stacionit të trenit qe personi i fundit që do të tregonte respekt për sulltanin në mëmëdheun e tij.

Ndonëse në traditën otomano-islame femrat qenë ndaluar të sundonin një vend, ato dhe fëmijët e tyre, madje dhëndurët dhe nuset, nga familja otomane u syrgjynosën. Asnjë prej dinastive të perandorive europiane të përmbysura nga revolucioni nuk ishte trajtuar në një mënyrë të tillë; vetëm monarkët ishin syrgjynosur, dhe malli e pasuria e tyre u qe kthyer pas një kohe të shkurtër. Veç cari dhe caresha në Rusi qenë vrarë bashkë me fëmijët e tyre, dhe kjo ngaqë Ushtria e Bardhë qe pranë shpëtimit të carit dhe familjes së tij.

Pjesëtarëve të familjes otomane u ishin dhënë pasaporta njëkalimëshe. Ata donin të shkonin në Egjipt, një prej vendeve që dikur gjendej brenda kufijve të Perandorisë Otomane, por as britanikët, të cilët sundonin rajonin, as mbreti Fuad, i cili ishte xheloz për otomanët, nuk i lanë të vendosen atje. Kur kërkuan të shkojnë në Siri, teksa ajo ishte pranë vendit të tyre, Republika e Turqisë e themeluar rishtas e pengoi këtë. Si rrjedhim, disa prej anëtarëve të familjeve otomane u vendosën në Bejrut, nën sundimin e francezëve, e pjesa tjetër u shpërndanë nëpër Europë.

Pallatet e tyre u plaçkitën nën mbikëqyrjen e policisë edhe përpara se ata të iknin. Ca mundën t’i shisnin shtëpitë, antikat dhe punimet e tjera artistike badihava, e disa ua dhanë atyre që u besuan. Një pjesë e këtyre të “besuarve” i tradhtuan, dhe ua morën të gjitha sendet e paratë, ndërsa pjesa e mbetur e pasurisë u konfiskua nga shteti, dhe të drejtat e tyre të trashëgimisë, të lënë prej gjyshërve, u quajtën të pavlefshme. Në këtë mënyrë, një mizori e papërjetuar për aq shumë kohë në botë, ishte çmuar e përshtatshme për pasardhësit e Osmanit, themeluesit të Perandorisë Otomane. Familja otomane, e cila rridhte nga legjendari Oguz Han (Oğuz Han), dhe ishte një nga dinastitë më të vjetra në botë, u nxor me forcë nga skena politike.

Kjo familje nuk mund ta besonte atë që po ngjiste. Ata kishin dëgjuar thashetheme në prag të syrgjynosjes mbi heqjen e sulltanatit, por mendonin se gjindja ende i donte dhe i përkrahte, e nuk e çuan nëpër mend një gjë të tillë. Me t’u syrgjynosur, ata menduan se mërgimi ishte një situatë e përkohshme. Në të vërtetë, shumica nuk i morën me vete ato çfarë kishin, teksa besuan se do të ktheheshin brenda pak muajve në shtëpitë e tyre. Ama syrgjynosja zgjati 30 vite për femrat, e 50 vite për meshkujt.

Të tërë jetuan në mërgim pa vatan, pa pasaportë. Princat kryen përgatitje në forcat e armatosura, por që nuk u hynte në punë në mërgim. Për sulltanët në moshë nuk ishte e mundur të punonin. Këta njerëz që kishin harxhuar prej pasurisë së tyre për bamirësi nuk kishin para në bankë apo me vete. Çdo familjeje i qe dhënë 1000 lira kur qe nxjerrë nga republika turke, shumë e cila mbulonte vetëm shpenzimet e udhëtimit dhe mjetet e jetesës për një muaj. Ata ranë në mjerim pasi i shitën lirë xhevahiret e tyre. Kishte pjesëtarë të familjes mbretërore që lanin pjata në hotele, që lypnin, apo që kërkonin në koshat e plehrave diçka për të ngrënë.

Një numër i tyre jetuan me ndihma nga armenët otomanë që po ashtu ikën në Europë, e ca vdiqën nga uria. Fisnikë muslimanë, të tillë si Osman Xhahu, sundimtari i Hajdarabadit, Omer Tosuni, princi egjiptian, dhe Husein ibn Aliu, mbreti i Hixhazit, u përpoqën t’i ndihmojnë anëtarët e kësaj dinastie të rënë financiarisht, por kjo ndihmë nuk arriti tek të tërë, ngaqë familja mbretërore qe shpërndarë nëpër botë. Për më tepër, qeveria në Ankara reagoi ndaj martesave midis të huajve dhe pjesëtarëve të familjes mbretërore, e mbikëqyri çdo hap të tyre në mërgim.

Si rezultat, Franca nuk u dha nënshtetësi pasardhësve të Sulejmanit të Madhërishëm, i cili e shpëtoi mbretin francez Fransis I, por i pajisi me pasaporta që u mundësonin atyre të udhëtonin lirisht. Familja otomane u përball me varfërinë, mospasjen dhe sëmundjet, veç mallit për vatanin dhe dhimbjes për padrejtësinë. Ata vendqëndrimi i fundit i të cilëve ishte varreza e të vetmuarve qenë fatlumët, ndërsa trupat e ca të tjerëve prej familjes mbretërore humbën apo u hodhën në det.

Megjithëkëtë, ata jetuan me dinjitet e me nder. U lënduan nga trajtimi që provuan, por kurrë nuk punuan kundër vendit të tyre. Femrat e familjes otomane u amnistuan në vitin 1952 nga qeveria e Adnan Menderesit, dhe amnistia e përgjithshme, e cila hyri në fuqi në 1974-ën, i lejoi princat otomanë të kthehen në atdheun e tyre. Por nuk mbetet gjë tjetër, veç të mendosh nëse për amnistimin e familjes mbretërore u prit gjersa të vdisnin ata që i dinin rrugët e oborrit otoman, apo jo. Republika e Turqisë u trembej ende me sa dukej këtyre njerëzve të dëshpëruar. Shumë pak u kthyen në Turqi kur aministia e përgjithshme hyri në fuqi.

Të rinjtë ishin rehatuar në vendet e mërgimit dhe kishin nisur të ngrinin familje. Të kthyerve nuk iu dha menjëherë nënshtetësia turke, dhe për një kohë u ndoqën nga policia sekrete. Njerëzit e kujdesur aq shumë për tyrben e Sulejman Shahut, do të ishte mirë t’i hidhnin një sy dhe gjendjes së pasardhësve të tij. Bijtë dhe bijat e një dinastie, e cila arriti fitore të mëdha në historinë islame dhe otomane, qenë privuar nga të folurit e gjuhës së tyre, nga mësimi i fesë së tyre, nga thithja e ajrit të vendit të tyre, e nga vdekja në mëmëdheun e tyre. Sot familja otomane nuk pret mirësi apo favore nga dikush. Një falje iu dha familjes mbretërore, por shumë njerëz lindën në mërgim, dhe atje ndërtuan jetë të re.

Në lidhje me situatën aktuale, mërgimi vazhdon ende, dhe ky është një turp për Turqinë dhe ata që jetojnë në këtë rajon. Nëse mizoritë në të shkuarën ndaj njerëzve, familjeve dhe popujve nuk shlyen në një mënyrë, kjo e pengon çdo vepër të mirë. Nëse një shtet nuk i kompenson padrejtësitë që ka shkaktuar në të shkuarën, nuk mund të shohë me shpresë nga e ardhmja.

Gjetja dhe kthimi i pasurive të konfiskuara është diçka që pritet nga shteti. Veç kësaj, është detyrim kombëtar që çdo anëtari të familjes otomane t’i paguhet një shumë mujore për sigurimin e jetesës në Turqi deri në kthimin e mallit të tyre. Duhet krijuar një fondacion për ta kryer këtë mision, dhe të mbështetet gjithashtu nga shteti, kështu që shteti t’u japë një dorë atyre që janë në nevojë. Në këtë mënyrë, brezi i ri i familjes mbretërore otomane ka për t’u rritur e martuar brenda kulturës islamo-turke. Të moshuarit do të jenë në gjendje ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës në vatanin e tyre. Dhe kur të vdesin, do të prehen me një shërbim funeral të përshtatshëm për lavdinë e familjes së cilës i përkisnin./tesheshi.com/

Përktheu: Bujar M. Hoxha

http://tesheshi.com/dossier-historia-e-hidhur-e-syrgjynosjes-se-dinastise-otomane/